Shytat

Çfarë janë shytat?

Shytat janë një sëmundje ngjitëse e shkaktuar nga një virus.

Si përhapen shytat?

Virusi që shkakton shytat jeton në hundën, gojën dhe fytin e njeriut. Ai mund të përhapet nëpërmjet ajrit kur njerëzit kolliten ose teshtijnë. Shytat mund të përhapen gjithashtu nëpërmjet kontaktit me sekrecione të infektuara. Njerëzit mund t’ua ngjisin sëmundjen të tjerëve 1 deri në 2 ditë para se të fillojnë simptomat e sëmundjes dhe deri në pesë ditë mbasi të ketë filluar sëmundja e tyre. Cilat janë simptomat e shytave? Simptomat më të zakonshme janë temperaturë jo shumë e lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe ënjtje e gjendrave të pështymës (të ndodhura në faqe, nën vesh dhe nën nofull). Një në çdo tre veta me shyta nuk ka ënjtje të gjëndrave të pështymës. Simptomat mund të paraqiten 12 deri në 25 ditë mbas kontaktit me një person të infektuar (zakonisht 16 deri në 18 ditë). A janë shytat të rrezikshme? Shytat janë zakonisht një sëmundje e lehtë, por mund të ketë disa komplikime, duke përfshirë meningjitin (infeksionin e kores së trurit dhe të shtyllës kurrizore), encefalitin (pezmatimin dhe ënjtjen e trurit) dhe nëse sëmundja i ze meshkujt e rritur, ënjtjen e testikulave (herdheve). Rrallë ndonjë njeri mund të ketë komplikime të tilla si humbjen e dëgjimit, artritin, ënjtje të vezoreve, ënjtje të gjirit, probleme me zemrën dhe veshkat. Virusi mund ta rrisë rrezikun e dështimit të fëmijës, sidomos gjatë tri muajve të parë të shtatzënisë. Kush mund të sëmuret nga shytat? Çdo njeri, i çdo moshe, që nuk e ka kaluar më parë sëmundjen, ose që nuk është i imunizuar ndaj saj mund të sëmuret me shytat. Si diagnostikohen shytat? Shytat zakonisht zbulohen nëpërmjet simptomave të sëmundjes; megjithatë, metoda më e zakonshme që përdoret për të diagnostikuar shytat është analiza e gjakut.

A ka vaksinë për shytat?

Po. Vaksina e shytave rekomandohet për fëmijët mbas moshës 12 muajshe dhe doza e dytë jepet në moshën 4 deri në 6 vjeçare. Vaksina e shytave jepet zakonisht në kombinim me vaksinën e fruthit dhe të rubeolës, e cila quhet MMR [vaksina e “Measles” (fruthit)-“Mumps” (shytave)-“Rubella” (rubeolës)]. Personat e lindur mbas vitit 1956, të cilët nuk janë të sigurt nëse e kanë kaluar sëmundjen ose nëse e kanë bërë vaksinën, duhet ta marrin në konsideratë për t’u vaksinuar. Ata njerëz që nuk duhet ta bëjnë vaksinën MMR përfshijnë gratë shtatzëna, njerëzit me sistem të dobësuar të imunizimit dhe ata që kanë alergji që e mjekojnë gjatë gjithë jetës ndaj neomicinës, xhelatinës ose ndaj ndonjë doze të mëparshme të vaksinës MMR.

Çfarë mund të bëhet për të ndaluar përhapjen e shytave?

Mënyra më e mirë për të parandaluar shytat është që të bëhet vaksinimi kundër tyre. Nëse ju ose fëmija juaj keni simptoma të shytave, konsultohuni me mjekun tuaj. Asnjë njeri që është i sëmurë me shytat nuk duhet të shkojë në kopësht, shkollë, punë ose në vende të tjera publike deri sa të kalojnë 9 ditë mbas fillimit të ënjtjes së fytyrës. Ata që kanë qenë në kontakt me ndonjë person që ka shytat, duhet të flasin me mjekun e tyre dhe të bëjnë vlerësimin e gjendjes së imunizimit të tyre. Personave që mund të jenë ekspozuar ndaj sëmundjes duhet t’u tregohen shenjat dhe simptomat e sëmundjes së shytave dhe duhet të kërkojnë mjekim në qoftë se u fillon ndonjë nga këto simptoma.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen