Depresioni

NJOHURI PËR DEPRESIONIN
Me depresion kuptohet gjendja e njeriut kur ai kalon një gjendje të
vështirë e angështi, vuan për një kohë të gjatë dhe jeta i duket e
zymtë. Kur njeriu është i depresionuar ai nuk mund të gjejë kënaqësi
në asgjë. Njeriu i depresionuar e ka të vështirë të fillojë një punë dhe
ai lodhet shpejt. Marrja e vendimeve është në shumicën e rasteve e
vështirë, si dhe përqëndrimi në mësim ose në lexim.
Ai që vuan nga depresioni nuk fle mirë. Zgjimi natën është më se i
zakonshëm. Nga ana tjetër ai që vuan nga depresioni e ka të vështirë
të flejë, ose gjumi mund të jetë i lehtë ose me copa. Ndonjëherë me
depresionin lidhet dhe të fjeturit e tepërt. Mungesa e oreksit dhe ulja
në peshë kanë të bëjnë me depresionin, ndonëse ndonjëherë i
depresionuari mund edhe të ketë oreks të tepruar.
Njeriu i depresionuar është në shumicën e rasteve i nervozuar dhe ai
mund ta ketë të veshtirë të jetë në shoqërinë e të tjerëve. Edhe akuzat
e tepruara kundër vetes janë të zakonshme. Gjithashtu edhe
mendimet në lidhje me vdekjen dhe mendimet për vetëvrasje janë të
zakonshme për njeriun që vuan nga depresioni. Dhimbje të ndryshme
fizike, si dhimbja e kokës, e muskujve, e stomakut e shpinës janë të
zakonshme dhe shkaku i tyre nuk gjendet në organizëm.
NGA VJEN DEPRESIONI?
Depresioni vjen zakonisht në raste kur kemi të bëjmë me ndryshime të
mëdha në jetë. Raste kur njeriu humbë njerëz të rëndësishëm të jetës
së tij, ose gjëra të rëndësishme jetike, si vendi i punës ose banesa
sjellin si rezultat depresionin. Ndonjëherë depresioni vjen dhe në rastet
kur njeriut nuk i mjaftojnë energjitë të triumfojë mbi sfida të reja e të
mëdhaja. Të tilla sfida mund të jenë, për shembull, shpërngulja në një
vend të ri, përshtatja ndaj një kulture të re ose mësimi i gjuhës së re.
Disa njerëz depresionohen më lehtë se të tjerët. Kjo mund të jetë, për
shembull, pasojë e faktorëve gjenetikë dhe e karakterit të njeriut. Dihet
se me depresionin bashkëlidhen ndryshime në aktivitetin e trurit,
ndryshime këto që mbarojnë dhe normalizohen kur depresioni kalon.
SI KUROHET DEPRESIONI
Njeriu duhet të kërkojë ndihmë në rast se vuan nga depresioni për një
kohë të gjatë, dhe në rast se depresioni pengon në aktivitetet e jetës
së përditshme. Për depresionin mund të konsultoheni për shembull me
motrën medicinale ose mjekun. Është mirë dhe të komunikohet me
njerëzit e afërt. Njeriu që vuan nga depresioni akuzon shpeshherë
veten për gjendjen e tij dhe kjo shton depresionin. Si fillim, shpeshherë
është mirë që të qetësohesh dhe t’i japësh kohë vetes të shërohesh.
Në të shumtën e rasteve kur je i depresionuar është e vështirë të
zgjidhësh probleme të mëdha dhe nëse është e mundur është mirë që
zgjidhjen e tyre ta shtysh për më vonë. Shërimi nga depresioni do
kohë dhe zakonisht zgjat me javë të tëra, ndonjëherë edhe muaj.
Në bashkëbisedimet me personin kujdestar mundohet të sqarohet dhe
qetësohet situata. Shumë herë diskutimi për problemet dhe
vështirësitë është lehtësues, ndonëse zgjidhjet mbase nuk gjenden
menjëherë. Më vonë pasi të jetë qetësuar situata ka mundësi të
bisedohet më detajisht për shkaktarët e stresit e humbjet në jetë, si
dhe të mendohet për mënyra dhe alternativa të tejkalimit të situatës.
Në saj të bashkëbisedimeve mundësohen këndvështrime të ndryshme
të reja mbi problemet e jetës, mbi sjelljen, mendimet e vetë personit, si
dhe mbi marrëdhëniet me të tjerët. Qëllimi është që personi të rigjejë
forcat në vetvete.
Trajtimi me ilaçe përshpejton shërimin nga depresioni. Ilaçet që
përdoren për depresion janë pa rrezik dhe nuk shkaktojnë varësi.
Efekti i ilaceve ndaj gjendjes së përgjitshme dhe simptomave shihet
zakonisht pas 2-4 javësh që prej fillimit të kurimit. Trajtimi me ilace
duhet vazhduar edhe pas shërimit sepse simptomat shfaqen sërisht
me lehtësi pas ndërprerjes së ilaçeve. Trajtimi me ilaçe zgjat zakonisht
½-1 vit dhe gjatë kësaj kohe ilaçet duhen përdorur rregullisht çdo ditë.
Për përfundimin e ilaçeve duhet të këshilloheni me mjekun.
Në fillim të përdorimit të ilaçeve mund të shfaqen edhe efekte anësore.
Zakonisht efektet anësore mund të jenë ndjenja e të vjelltit, dhimbje
koke, rritja e djersitjes, dhimbje stomaku dhe lodhje. Zakonisht efektet
anësore janë të lehta dhe kalojnë brenda disa ditëve kur organizmi
mësohet me ilaçet. Për efektet anësore të ndryshme duhet të
këshilloheni me mjekun kurues. Përveç ilaçeve të depresionit
ndonjëherë mund të jetë e nevojshme të përdoren dhe ilaçe gjumi ose
ilaçe që ulin angështinë.
Në rast se keni nevojë për informata të mëtejshme mbi depresionin
ose mbi kurimin e tij mund të pyetni motrën medicinale ose mjekun
tuaj.
Ky prezantim është hartuar nga mjeku specialist i psikiatrisë Tapio
Halla, i cili punon në grupin e rehabilitimit për emigrantë pranë qendrës
së sëmundjeve mendore të Tamperes

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen

Kommentar veröffentlichen