Freitag, 19. November 2010

Mbipesha dhe roli i mikrobeve

Mikrobet janë bashkëudhëtarët më të herëshëm të njeriut. Në fazat e para të evolucionit, prania e tyre në organizëm ka ndihmuar për ruajtjen e energjisë në formë dhjami. Por shkencëtarët thonë se në epokën bashkëkohore të ushqimeve me kalori të lartë, këto mikrobe duket se nuk i sjellin njeriut ndonjë të mirë.


Një grup shkencëtarësh biologë në Saint Luis të Minesotës mendojnë se mbipesha shkaktohet nga bashkëpunimi midis organizmit dhe baktereve. Ata thonë se gjenet e mikrobeve jo vetëm ndikojnë në ruajtjen e kalorive por edhe zgjedhin se cilat kalori të ruajnë dhe mbajnë ato kalori që depozitohen në dhjam.

Kur njeriu ha, ai nuk ushqen vetëm veten e tij. Ai ushqen edhe bakteret e zorrëve. Biologu Xhef Gordon thotë se bakteret në zorë e marrin energjinë nga ushqimi ynë dhe numri i tyre në organizëm është 10 herë më i madh sesa ai i qelizave.

Doktor Gordon thotë se njeriu kurrë nuk ha vetëm. Një komunitet i madh mikrobesh përfiton nga ushqimi i tij dhe një nga mënyrat e bashkë-ekzistencës së organizmit me mikrobet është bashkëpunimi dhe shkëmbimi, në këtë rast shkëmbimi i vlerave ushqimore

Doktor Gordon dhe ekipi i tij pranë universitetit Uashington në Saint Luisi kanë gjetur të dhëna se ky bashkëpunim midis mikrobeve dhe organizmit mund të sjellë si rezultat mbipeshën. Në studimin e tyre thuhet se tek minjtë në laborator, prej të cilëve u hoq një grup mikrobesh të caktuara, nuk u vunë re shenja të dhjamosjes pavarësisht nga lloji apo sasia e ushqimit.

Doktor Gordon thotë se minjtë pa këto mikrobe u treguan rezistent ndaj mbipeshës që krijohet si rezultat i niveleve të larta të yndyrnave dhe sheqerit.

Shkencëtarët zbuluan se minjtë mbi peshë kanë më shumë baktere të një lloji të veçantë, ndërsa minjtë në peshë normale kanë më shumë baktere të një lloji tjetër. Shkencëtarët gjithashtu kontrolluan edhe një numër njerëzish dhe nxorrën të njëjtat rezultate, dhe ashtu si tek minjtë, kur analizuan gjenet e mikrobeve panë se ato jo vetëm ndikojnë në ruajtjen e kalorive por edhe zgjedhin se cilat kalori të ruajnë dhe mbajnë ato kalori që depozitohen në dhjam.

Doktor Gordon thotë se është tepër herët të thuhet në se mbipesha shkaktohet nga ndryshimet në mikrobet e zorrëve apo këto ndryshime shkaktohen nga mbipesha. Megjithatë, duke kuptuar e njohur më mirë marrëdhëniet midis mikrobeve dhe organizmit, shkencëtarët ka gjasa të thonë më saktë fjalën e tyre për zhvillimin e mënyrave të reja për të trajtuar mbipeshën.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen